KF Ulpiana kishte pretendime të mëdha në fillim të sezonit me kryesinë, lojtarët por edhe shikuesit që besonin se skuadra do të ishte një nga skuadrat më të mira të ligës së parë.
E kur kishin kaluar 20 xhiro që nga fillimi i stinorit, Ulpiana kishte arritur të grumbullonte vetëm 22 pikë duke qenë kështu vetëm një pikë larg zonës së rënies.
E kur lufta për mbijetes në ligën e parë do të fillonte të bëhej e ashpër, pandemia CoVid-19 doli në skenë duke i shpëtuar sezonin jo vetëm Ulpianës por edhe Vllaznisë, Ramiz Sadikut, Vitisë, Vëllaznimit e Trepçës.
Sipas analizës së Sport Lajm, më poshtë rënditen 5 nga arsyet kryesore se pse Ulpiana dështoi të pozicionohej më lartë këtë sezon.
1. Forma katastrofale në shtëpi - Dy fitore, katër barazime dhe katër humbje në shtëpi... e tmerrshme. Ulpiana ishte një nga skuadrat që performoi më së dobëti në shtëpi gjatë këtij sezoni të ligës së parë.
Lipjanasit arritën të merrnin më shumë pikë si musafirë se sa si vendas, duke e bërë kështu "Sami Kelmendin" një nga vendet më të preferuara për të marrur pikë të ekipeve të tjera të ligës së parë.
2. Pritshmëritë e mëdha - 15 fitore në 15 ndeshje në ligën e dytë ishin një arritje mjaftë e madhe, mirpo dallimi mes ligës së dytë dhe asaj të parë është shumë i madh, e pikërisht këtë e kuptoi Ulpiana gjatë këtij sezoni... edhe pse në momentin kur e kuptoi këtë gjë tashmë ishte bërë vonë dhe skuadra rrezikonte të kthehej nga kishte ardhur.
3. Prishja e raporteve me tifozët "Tigrat" - Tigra nuk pati këtë sezon, e ky ishte plotësisht faji i udhëheqësisë së skuadrës të cilët i refuzuan në mënyrë kategorike tifozët e tyre duke mos i plotësuar atyre asnjë kërkesë dhe duke i treguar kështu derën. Rëndësia e tifozëve vendas mund të shihet shumë mirë në suksesin e Arbërisë dhe stabilitetin e Dardanës.
4. Gabimet e mëdha në merkato - Ulpiana do të bënte super-goditje në merkato nëse futbollistët që i mori në janar do të ishin nja 4 vjet më të rinjë dhe do ishin në formën e tyre maksimale. Por, të marrësh lojtar "të lodhur" e madje edhe të lënduar e pa ambicie për të triumfuar kjo është vërtet një gabim i madh. Askush nuk mund t'i vë në pikëpyetje kualitetet e Mazrekajt, Halitit e të tjerëve... por a jeni të sigurt që ata nuk ishin të lënduar? a jeni të sigurt që ata ishin në formë optimale? e çka është më e rëndësishmja a jeni të sigurt që ata duan të fitojnë dhe nuk kanë ardhur në Lipjan vetëm për të mbushur gjepat pa u lodhur fare?
5. Mungesa e presionit tek kryesia dhe tek futbollistët - Ulpiana u rrezikua gjatë gjithë sezonit dhe prapë nuk pamë as më të voglin shqetësim nga kryesia apo futbollistët, shumë lojtar veshën fanellën bardhë e kaltërt por gati asnjë nga ta nuk mund ta shihje të dëshpruar, të gëzuar apo nervoz gjatë ndeshjeve... të gjithë po luanin si robota, asnjërit nuk po i interesonin fortë rezultatet. Megzon Visoka ishte i vetmi njeri tek Ulpiana që mori përgjegjësi për dështimet e skuadrës dhe u tërhiq kur e pa që idetë e tij nuk po funksiononin, të tjerëve nuk është se i'u interesonte të merrnin përgjegjësi për dështimin e skuadrës.
Sezonin tjetër, liga e parë e Kosovës do të ketë plotë 20 skuadra e sigurisht që edhe numri i skuadrave që do të bien një divizion më poshtë do të jetë shumë i madh (më së paku 6), Ulpiana duhet të mundohet që të mos i përsëris të njejtat gabime që i bëri këtë edicion përndryshe do të jetë shumë por shumë e vështirë mbijetesa.

