Para disa ditësh, KF Arbëria mori lajmin e madh i cili njoftonte se garat në ligën e parë, të dytë dhe atë të tretë do të përfundonin me renditjen aktuale tabelore. Arbëria që mbante me plotë meritë pozitën e dytë deri në ato momente do të kalonte në superligë së bashku me Besën duke arritur kështu të plotësonte një synim të kahmotshëm dhe historik.
Për të arritur deri tek Superliga; futbollistët, shtabi teknik si dhe kryesia punuan pandalë dhe me plotë dëshirë duke mos u dorëzuar në asnjë moment të sezonit dhe duke kaluar pritshmëritë e të gjithëve me performancat e jashtëzakonshme si brenda fushe e poashtu edhe në zyret e klubit.
Më poshtë Sport Lajm rëndit 5 arsyet kryesore të suksesit të Arbërisë:
1. Konkurrenca e madhe në ekip - Arbëria gjatë sezonit të fundit arriti të krijoi një konkurrencë të paparë në ekip çka ndikoi drejtpërdrejt edhe në arritjen e rezultateve dhe sukseseve të mëdha, nga 2 apo 3 lojtar shumë kualitativ pati në dispozicion gati për çdo pozitë të fushës trajneri Nuhi Bahtiri.
2. Paraqitjet e mira në "Sami Kelmendi" - Në futbollin kosovar dhe në atë europian në përgjithësi ndeshjet e mëdha fitohen në shtëpi dhe pikët kryesore arrihen poashtu në shtëpi aty ku ke përkrahjen e tifozëve vendas dhe stërvitesh gjithnjë. Arbëria i'a doli mjaftë mirë ta blindojë "Sami Kelmendin" gjatë këtij sezoni me skuadrat që vinin aty me këmbë të dridhura dhe të frikësuar nga "Stuhia e Kuqe" dhe atmosfera vendase. Në "Sami Kelmendi", Arbëria arriti 6 fitore, 3 barazime dhe vetëm një humbje duke marrë kështu në total 21 pikë nga 30 të mundshme.
3. Goditjet e sakta në merkaton e janarit - Që Arbëria e pati seriozisht inkuadrimin në superligë u pa në janar të këtij viti, atëher kur Arbëria edhe pse kishte një grup tejet kualitativ lojtarësh nuk hezitoi që t'i shprazte paksa gjepat për të afruar edhe disa futbollistë të tjerë kualitativ që do t'i ndihmonin skuadrës. Arbëria afroi në janar Zabërgjën nga superliga, Shalën dhe Hasanin nga rivalët direkt të ligës së parë si dhe Gentian Eminin dhe Andi Thaçin për t'i bërë rivalitet në pozicionet e tyre Armend Miftarit dhe Çlirim Avdullit.
4. "STUHIA E KUQE" - Hisedarë të padiskutueshëm të suksesit të skuadrës nga Dobraja ishin edhe tifozët fanatikë të klubit që mbajnë emrin "Stuhia e Kuqe", përveç përkrahjes së paprecedent në takimet si vendas të Arbërisë, Stuhia udhëtoi disa herë edhe në takimet si musafire të skuadrës. Është e sigurt të thuhet se ndoshta të vetmit që besonin 100% në suksesin e skuadrës ishin pikërisht ata, tifozët besnik të klubit.
5. Kryesia e klubit - E fundit por definitivisht më e rëndësishmja, kryesia e klubit nga Dobraja luajti rolin pivotal të suksesit të skuadrës. Në të gjitha arsyet e lartë-permendura gisht patën edhe kryesia e klubit. Ata në krye me Jahir Krasniqin i'u plotësuan të gjitha kushtet futbollistëve e shtabit teknik, respektuan dhe afruan afër vetës edhe tifozët e klubit, ndërtuan strategji afatgjata gjatë gjithë sezonit si dhe në momentin kur duhej treguar vlera e tyre, nuk ndenjtën duarkryq por intervenuan duke "djegur" lojën në merkaton e janarit dhe duke e përforcuar skuadrën akoma më shumë. Vetëm t'i shikoje fytyrat e lumtura të futbollistëve gjatë gjithë sezonit do të kuptoje se sa shumë ata përkraheshin nga kryesia e klubit.

